Arrestohet 22-vjeçari Redion Sefa për mashtrim tatimor – Dyshohet për dëm ekonomik prej 3 milionë eurosh

Një 22-vjeçar i identifikuar si Redion Sefa është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim për përfshirje në një skemë mashtruese që synonte shmangien e detyrimeve tatimore ndaj shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimi i Sefës është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Skema”, i cili ka përfshirë hetime të zgjeruara mbi mashtrimet me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH). Më herët, Gjykata e Durrësit kishte caktuar për të masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Hetimet kanë zbuluar se Redion Sefa, në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, administratorë të disa bizneseve, dhe me tre persona të punësuar në këto subjekte, kanë deklaruar të dhëna financiare fiktive për të shmangur detyrimet tatimore. Skema dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerën e rreth 3 milionë eurove.
Në total, hetimet kanë identifikuar shtatë persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, për të cilët pritet të vijojnë procedurat penale.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.