Lajme

Arrestohet 18-vjeçari shqiptar me mbi 1 kg kokainë, i dyshuar për trafik dhe lidhje me organizatë kriminale

Një operacion i Karabinierëve në zonën e Centro-s, Genova, ka çuar në arrestimin e një të riu shqiptar 18-vjeçar, i cili u kap me një sasi të konsiderueshme droge. Autoritetet italiane njoftuan se ndaj të dyshuarit po zhvillohen hetime për trafik narkotikësh dhe përfshirje në një organizatë kriminale.

Ndërhyrja u bë pas raportimeve nga banorët e lagjes Struppa, të cilët kishin vërejtur lëvizje të dyshimta të një të riu në një ndërtesë në rrugën “Benedetto da Porto”. Dyshimet për aktivitet të paligjshëm çuan në vendimin e Karabinierëve për të vepruar menjëherë.

I riu u ndalua në hyrje të apartamentit, dhe gjatë kontrollit fizik iu gjetën tre pako të vogla të mbyllura me vakum, secila me nga 50 doza kokaine. Gjithashtu, në xhepin e xhinseve mbante një pako cigare me 74 doza të tjera. Në total, u sekuestruan 224 doza, me peshë rreth 140 gramë.

Kontrolli vazhdoi edhe në ambientet e banimit të tij, ku policia zbuloi dy pako të tjera kokaine me peshë 800 dhe 121 gramë. Aty u gjetën edhe pajisje për përpunimin dhe paketimin e lëndës narkotike, përfshirë një makinë vakumi, tre peshore precize dhe një sasi e madhe materialesh plastike.

Sasia totale e drogës së sekuestruar kapërcen një kilogram dhe vlerësohet si kokainë me cilësi të lartë. I arrestuari është dërguar në burgun e Marassit dhe ndodhet në pritje të konfirmimit të masës së arrestit nga autoritetet gjyqësore.

Policia italiane po vijon hetimet për të identifikuar rrjetin e mundshëm kriminal me të cilin i riu mund të ketë lidhje, ndërsa nuk përjashtohet përfshirja e grupeve të organizuara që operojnë në trafikun ndërkombëtar të drogës në rajon.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button