Lajme

Arrestime, shpallje në kërkim dhe procedime penale për ngjarje të ndryshme kriminale

Policia e Vlorës ka vijuar me operacionet e saj të përditshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, duke referuar materiale në Prokurori dhe ndërmarrë veprime konkrete në disa raste:

Shpallet në kërkim për lëndë narkotike

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë shpallur në kërkim shtetasin I. S., 25 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis. Vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Arrest për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje

Po në Vlorë, është ekzekutuar urdhri i Prokurorit për shtetasin E. B., 36 vjeç, banues në Orikum, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” (e mbetur në tentativë) dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”. Ai akuzohet se, në bashkëpunim me shtetasin Q. B., ka qëlluar me armë zjarri drejt disa personave në një lokal më 26 janar 2025, duke lënë të plagosur shtetasin S. V.

Procedim penal për aksident në vendin e punës

Një inxhinier ndërtimi, shtetasi R. N., 45 vjeç, është proceduar penalisht pasi një punonjës i kompanisë, Sh. T., 57 vjeç, pësoi dëmtime gjatë punës në një kompleks ndërtimi më 30 prill 2025. I dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Procedim për dhunë në familje

Një tjetër procedim penal është nisur ndaj shtetases E. Rr., 22 vjeçe, banuese në Vlorë, e cila dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetuesit të saj.

Zjarri shkrumbon automjetin në garazh

Më 30 prill, rreth orës 18:40, në lagjen “Lef Sallata”, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike ka rënë zjarr në një garazh, duke shkaktuar djegien e një automjeti tip “Volkswagen”.

I riu kapet duke drejtuar pa leje drejtimi

Ndërkohë, në Sarandë, është proceduar penalisht shtetasi E. D., 20 vjeç, pasi u kap nga policia në rrugën “Skënderbeu” duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Materialet për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button