Arjeta Abazi: Kuvendi është kthyer në teatër të stërgjatur, fajin e ka Vetëvendosje

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arjeta Abazi, ka reaguar pas dështimit të seancës së 49-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për ngecjen institucionale.
Në një deklaratë për media, Abazi theksoi se Kuvendi ka mbetur i bllokuar jo për shkak të ndonjë emergjence apo fatkeqësie, por për shkak të një partie që, sipas saj, ende nuk e ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale.
“Seancë pas seance nuk po arrijmë të ecim përpara. Kuvendi është kthyer në një teatër të stërgjatur, ku për fat të keq aktorët kryesorë janë më të interesuar për skenën sesa për skenarin,” u shpreh deputetja.
Ajo shtoi se kjo situatë po dëmton kredibilitetin institucional dhe po thellon krizën politike në vend.
“Është e papranueshme që vullneti qytetar të përdhoset për ambicie personale dhe mungesë përgjegjësie institucionale,” përfundoi Abazi.
Seanca e radhës ende nuk është caktuar, ndërsa partitë vazhdojnë akuzat e ndërsjella për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.