Arben Gashi kritikon Osmanin dhe Kurtin për qëndrimin ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit: “Nga tradhti kombëtare në arritje historike”

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për deklarata kundërthënëse lidhur me Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020. Ai rikujtoi se kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga Avdullah Hoti gjatë mandatit të tij si kryeministër, ndërsa në atë kohë Osmani dhe Kurti e kishin cilësuar si “tradhti kombëtare”.
Sipas Gashit, sot e njëjta marrëveshje po prezantohet nga krerët aktualë të shtetit si “arritje historike” dhe “sukses për Kosovën”.
“Pas pesë vitesh në pushtet, Presidentja dhe Kryeministri vazhdojnë me veprime dhe deklarata kundërthënëse,” shkroi Gashi në një postim në Facebook. Ai shtoi se në vend të vizionit ka konfuzion, në vend të besimit – pasiguri, dhe në vend të aleancave – izolim.
Gashi ngre pyetje për qasjen aktuale të qeverisë ndaj institucioneve, sigurisë, aleancave strategjike dhe zhvillimit ekonomik, ndërsa thekson se qytetarët meritojnë një lidership të qartë, të përgjegjshëm dhe të besueshëm.