Kosova

Ambasadori i Suedisë kërkon respektimin e vendimit të Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, i bëri thirrje partive parlamentare që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

Sipas tij, Kushtetuesja ka qenë shumë e qartë se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Westerlund theksoi për KosovaPress se formimi i shpejtë i institucioneve është i domosdoshëm, pasi Kosovës i duhet një qeveri legjitime për të avancuar proceset euroatlantike.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka publikuar aktgjykimin e plotë, por në njoftimin e 30 shtatorit deklaroi se seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb. Ajo ka urdhëruar që Kuvendi të konstituohet brenda 12 ditëve nga publikimi i aktgjykimit të plotë, pa specifikuar pasojat juridike në rast të moskompletimit të trupave të legjislativit.

Vendimi i Kushtetueses erdhi pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin e ndarë të kandidatëve për nënkryetarë nga komunitetet jo shumicë.

“Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike dhe duhet respektuar. Parlamenti nuk është konstituuar, dhe tani duhet të emërohet një nënkryetar nga një komunitet jo-shumicë. Ky është një mesazh i qartë nga Kushtetuesja dhe duhet të ndiqet,” tha Westerlund.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button