Ambasadori britanik viziton Gjykatën Supreme: Mbështetje për pavarësinë e gjyqësorit në Kosovë

Kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Vizita vjen në një kohë tensionesh mes pushtetit dhe gjyqësorit, pas vendimit të fundit të Supremes që e cilëson mbajtjen e njëkohshme të pozitës së ministrit dhe deputetit si të jashtëligjshme.
Në njoftimin zyrtar të Gjykatës Supreme thuhet se gjatë takimit është diskutuar për situatën aktuale në vend, reformën në sistemin gjyqësor dhe sfidat me të cilat po përballet ky sektor. Ambasadori britanik ka shprehur mbështetjen e fuqishme të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës, veçanërisht ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe punës së Gjykatës Supreme.
“Kreu i Supremes, sqaroi faktin se përkundër zhvillimeve të fundit, gjyqësori qëndron larg ndikimeve politike, është i pavarur, llogaridhënës dhe transparent në punën e tij”, thuhet në njoftim.
Nga ana e tij, ambasadori Hargreaves ritheksoi se ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit është thelbësore për funksionimin demokratik të institucioneve në Kosovë. Ai siguroi se Britania e Madhe do të vazhdojë të qëndrojë përkrah institucioneve të drejtësisë në vend.
Kjo vizitë interpretohet si sinjal i mbështetjes ndërkombëtare për sistemin gjyqësor në Kosovë, në një periudhë kur ai ndodhet nën presion politik.