Limaj: Jemi në një situatë të re – presim vendimin e Kushtetueses për të dalë nga ngërçi institucional

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi sot se vendimi i Presidentes Vjosa Osmani për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një “situatë tjetër” në përpjekjen për të dalë nga kriza e thellë institucionale në vend.
Pas ndërprerjes për herë të 51-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Limaj tha se pret që Kushtetuesja të ndihmojë në sqarimin e afatit 30-ditor për konstituimin e legjislativit, i cili skadon më 26 korrik, dhe pezullimin e tij.
“Gjykata Kushtetuese duhet të ndihmojë në qartësimin e çështjes rreth Kuvendit. Besoj se pas vendimit të saj do të krijohen institucionet, do të kemi shumicë për Parlament, për Qeveri dhe Kosova do të dalë nga ky ngërç,” u shpreh Limaj.
Ai e cilësoi kërkesën e presidentes si një hap pozitiv për procesin aktual dhe për rastet e ardhshme, duke shtuar se edhe vetë partitë politike janë të interesuara të presin vendimin e Gjykatës.
Limaj theksoi se Nisma është kundër zgjedhjeve të pjesshme dhe nuk do të mbështesë zgjidhje që rrezikojnë rikthimin në kutitë e votimit.
“Ne duam një shumicë qeverisëse e cila e konstituon edhe Kuvendin, edhe e krijon qeverinë. Jo shumicë me episode, jo shumicë gjysmake. Nuk do të kontribuojmë në zgjidhje që e çojnë vendin në zgjedhje të reja,” deklaroi ai.
Në lidhje me negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje, Limaj konfirmoi se ka pasur takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ndër të cilat edhe një takim të shtunën në një restorant në Prishtinë.
“Ka përpjekje dhe angazhime. Ka opsione në tavolinë nga të dyja palët,” tha Limaj, duke mos pranuar të zbulojë detaje, por duke lënë të kuptohet se palët janë në diskutime të avancuara.
Ndërkohë, Kurti, i cili nuk foli për media gjatë hyrjes në Kuvend, ka deklaruar më herët se i ka bërë një ofertë konkrete Limajt, për të cilën pritet përgjigje brenda fundjavës.
Oferta e Kurtit lidhet me krijimin e shumicës parlamentare dhe përfshin, sipas burimeve të mëparshme, pozitën e kryetarit të Kuvendit për Nismën si dhe një “paketë ligjore” me ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet, përfshirë uljen e pragut zgjedhor nga 5% në 2%.
Vendimi i Kushtetueses pritet të jetë vendimtar për fatin e Kuvendit të ri dhe të gjithë procesit të krijimit të institucioneve. Deri atëherë, mbetet pezull jo vetëm përbërja e re e legjislativit, por edhe rruga që do të ndjekë vendi në ditët në vijim.