Ambasada Gjermane kërkon drejtësi për sulmin terrorist në Banjskë, dy vjet pas ngjarjes

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar drejtësi pa vonesa për sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë dy vjet më parë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në një postim, ambasada theksoi se lideri i vetëshpallur i sulmit, Milan Radoiçiqi, vazhdon të lëvizë lirshëm në Serbi, ndërkohë që drejtësia për vrasjen e policit Bunjaku ende nuk është arritur. “Kanë kaluar dy vjet nga sulmi i tmerrshëm dhe, pavarësisht premtimeve të ndryshme se autorët do të dalin para drejtësisë, ende nuk është vendosur drejtësi. Kjo mosndëshkueshmëri e qartë është e papranueshme. Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të vendosen pa asnjë vonesë të mëtejshme,” ka shkruar ambasada.
Sulmin terrorist të Banjskës e kanë përkujtuar edhe misionet e tjera diplomatike në vend, duke kërkuar që autorët të përgjigjen para drejtësisë.



