Kosova

Ambasada e Gjermanisë paralajmëron për pasoja nëse nuk zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për formimin e Kuvendit

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka bërë thirrje që të gjitha fuqitë politike në vend të respektojnë dhe zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të shkurtit. Berlini ka paralajmëruar se moszbatimi i këtij vendimi do të ketë pasoja.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada gjermane thekson se politikanët duhet të veprojnë urgjentisht për të përfunduar krizën politike që ka zgjatur gati gjashtë muaj. “Ne presim një zgjidhje të shpejtë brenda afatit dhe bëjmë thirrje për kompromis nga të gjithë aktorët politikë. Dështimi për të respektuar vendimin paraqet kërcënim për mirëqenien e qytetarëve dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 8 gusht, kërkon që deputetët të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh dhe që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet me votim të hapur. Afati prej 30 ditësh fillon nga data kur aktgjykimi i plotë publikohet në Gazetën Zyrtare, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Mesazhi i Ambasadës vjen ndërsa drejtori gjerman për Ballkanin Perëndimor, Michael Reiffenstuel, ka zhvilluar takime me krerët më të lartë politikë në Kosovë, duke përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, dhe udhëheqësit e partive PDK, LDK dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka kërkuar respektimin e vendimit të Kushtetueses.

Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, po ashtu kanë bërë thirrje për zbardhje dhe zbatim të aktgjykimit.

Partitë opozitare PDK, LDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar atë si arbitrar dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese.

Kriza politike vazhdon, pasi asnjë parti nuk ka shumicën e nevojshme për qeverisje të vetme, ndërsa LVV-ja ka fituar 48 ulëse në Kuvend, por nuk ka mbështetjen e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas vendimit të ri, LVV-ja mund të provojë zgjedhjen e kandidatit për kryetar vetëm tri herë.

Zgjidhja e kësaj krize konsiderohet vendimtare për stabilitetin politik dhe për rrugën evropiane të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button