Kosova

Ambasada Amerikane: Formimi i Kuvendit dhe Qeverisë është përgjegjësi e lidershipit politik

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, duke theksuar se formimi i një Kuvendi dhe një Qeverie të qëndrueshme është përgjegjësi e lidershipit politik të Kosovës. Në një deklaratë për media, Ambasada ka theksuar se ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Kosova është një shtet sovran, demokratik dhe i pavarur. Është përgjegjësi e udhëheqjes politike të formojë një Kuvend dhe një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën,” thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Në lidhje me bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, Ambasada ka rikujtuar se u takon qytetarëve të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë ata, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të vullnetit të popullit dhe parimeve demokratike.

Deklarata vjen në një kohë kur vendi përballet me ngërç institucional pas zgjedhjeve, dhe presioni ndërkombëtar për zgjidhjen e situatës po rritet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button