Kosova

Ali Ahmeti takim me Vjosa Osmanin: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përballen me ofensivë të rrezikshme politike

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është takuar sot në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, sfidat rajonale dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për paqen dhe integrimin euroatlantik.

Përmes një postimi pas takimit, Ahmeti shprehu mirënjohjen për mikpritjen e presidentes Osmani dhe vlerësoi lart rolin e saj në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai gjithashtu ofroi mbështetje për procesin zgjedhor në Kosovë dhe krijimin e institucioneve që i shërbejnë qytetarëve.

Në fokus të deklaratës së Ahmetit ishte situata politike në Maqedoninë e Veriut, të cilën e cilësoi alarmante për shqiptarët. Sipas tij, ata po përballen me një ofensivë të rrezikshme nga një “bosht hibrid politik-oligarkik me bazë supremaciste etnike” që synon zhbërjen e shtyllave të Marrëveshjes së Ohrit.

“Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një instrument partiak, që po anulon themelet e barazisë – si përdorimi i gjuhës shqipe dhe mekanizmat mbrojtës si balancuesi dhe badenteri,” theksoi Ahmeti, duke shtuar se kjo përbën një shkelje të rëndë të barazisë ndëretnike dhe rrezikon bashkëjetesën në vend.

Ai shprehu shqetësim për devijimin e Maqedonisë së Veriut nga rruga drejt integrimit evropian dhe për përhapjen e ideve që vënë në dyshim karakterin shumetnik të shtetit, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Ohrit.

Ahmeti bëri thirrje për vigjilencë, unitet dhe veprim të koordinuar për të mbrojtur të arriturat historike dhe për të garantuar të ardhmen evropiane të qytetarëve.

Në këtë vizitë në Kosovë, Ahmeti shoqërohej nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button