Kosova

Albin Kurti: Përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin e Kosovës, kërcënim serioz për sigurinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në edicionin e 8-të të Konferencës së Ambasadorëve në Prishtinë, ka deklaruar se përpjekjet e Serbisë për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit janë një kërcënim i madh për sigurinë kombëtare.

“Lufta propagandistike e Serbisë, në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse, po përkeqësohet dita-ditës, duke shpërndarë mesazhe të rreme në mbarë botën. Në këtë situatë, roli i përfaqësuesve tanë diplomatikë është jetik për mbrojtjen e interesave të Kosovës,” tha Kurti.

Ai u bëri thirrje diplomatëve që të punojnë në koordinim të plotë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për të avancuar interesat e vendit në arenën ndërkombëtare.

“Kjo shpërndarje e përfaqësive tona në 53 vende është një avantazh i madh, por edhe një sfidë, sepse ne duhet të veprojmë të gjithë në harmoni, si një kor i vetëm, me ministrin në rolin e dirigjentit. Bashkëpunimi dhe ndërtimi i urave mes nesh duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit,” përfundoi Kurti.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button