Aktgjykim dënues për tre të akuzuarit në rastin “Albkings”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë tre të akuzuar në rastin e njohur si “Albkings”, duke i dënuar me gjithsej 7 mijë euro gjobë.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Fisnik Gashi, të hënën, i akuzuari Arjan Tahiraj u dënua me 2 mijë euro gjobë, ndërsa Besart Ramabaja dhe Veton Alshiqi me nga 2 mijë e 500 euro. Në rast se nuk paguajnë gjobat, dënimi do t’u zëvendësohet me burgim, ku një ditë llogaritet për 20 euro.
Të tre të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale të “Ngacmimit”. Tahiraj dhe Ramabaja kishin arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa Alshiqi e pranoi fajësinë gjatë seancës gjyqësore.
Asnjëri nga të akuzuarit dhe as përfaqësues nga Prokuroria nuk ishin të pranishëm në shpalljen e vendimit. Gjykata njoftoi se pala e dëmtuar mund të ndjekë kërkesën pasurore-juridike përmes procedurës civile.
Ky rast lidhet me hetimet ndaj ish-administratorit të grupit “Albkings” në Telegram, Edin Nevzadi, i cili ishte arrestuar më 17 prill 2024 për veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”. Ai dyshohej se, nga nëntori 2023 deri më 12 shkurt 2024, kishte shpërndarë pa autorizim fotografi dhe video intime të viktimave, si dhe numra telefoni duke pretenduar se ato ofronin shërbime seksuale. Nevzadi u lirua nga paraburgimi në tetor 2024.



