Kosova

Aktakuzë ndaj dy ish-zyrtarëve të Mitrovicës së Jugut për keqpërdorim të detyrës

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Mujka dhe Muzliukaj, gjatë kohës kur kanë qenë zyrtarë në komunën e Mitrovicës së Jugut, dyshohet se i kanë shkaktuar dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vlerë prej 125,100 eurosh. Faruk Mujka ka qenë nënkryetar i komunës, ndërsa Hysen Muzliukaj drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në periudhën kur kryetar komune ishte Agim Bahtiri.

Prokuroria sqaron se të pandehurit, duke shfrytëzuar detyrat zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë paraqitur një propozim-vendim për këmbimin e një prone të paluajtshme si pronë komunale, pavarësisht se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen e pronës me interes të posaçëm publik. Si rezultat, AKP ka pësuar dëm të konsiderueshëm financiar.

Përveç veprës kryesore, Mujka dyshohet edhe për “Mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Prokuroria ka propozuar shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button