Bota

BE po shqyrton masa ndaj Izraelit për shkak të situatës humanitare në Gaza

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të mërkurën se do të propozojë sanksione dhe pezullim të pjesshëm të tregtisë me Izraelin për shkak të konfliktit në Rripin e Gazës.

“Çfarë po ndodh në Gazë ka tronditur ndërgjegjen e botës,” tha von der Leyen gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian. Ajo shtoi se Komisioni Evropian do të krijojë muajin e ardhshëm një grup donatorësh për palestinezët, pjesë e të cilit do të fokusohet në rindërtimin e Gazës.

“Uria e shkaktuar nga dora e njeriut nuk mund të përdoret kurrë si armë lufte. Për hir të fëmijëve dhe të njerëzimit, kjo duhet të ndalet,” theksoi ajo, duke marrë duartrokitje nga deputetët.

Fjalimi i von der Leyen vjen një ditë pas paralajmërimit nga ushtria izraelite që banorët e Qytetit të Gazës të evakuohen, para ofensivës së gjerë për të marrë kontrollin mbi bastionin e fundit të Hamasit – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur militantët e Hamasit rrëmbyen 251 persona dhe vranë rreth 1.200 të tjerë, kryesisht civilë izraelitë. Aktualisht, në Gaza mbahen 48 pengje, rreth 20 prej të cilëve besohet të jenë gjallë.

Sulmet hakmarrëse të Izraelit kanë shkaktuar vdekjen e mbi 64.000 palestinezëve, kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë dhe kanë shkatërruar pjesën më të madhe të territorit. Rreth 90% e 2 milionë palestinezëve janë zhvendosur brenda vendit, ndërsa shumë qytete kryesore janë shkatërruar plotësisht.

BE-ja mbetet e ndarë për qasjen ndaj Izraelit dhe palestinezëve, dhe nuk është e qartë nëse do të arrihet shumica e nevojshme për të miratuar sanksionet dhe masat tregtare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button