Kosova

Aksion kundër spiunazhit në Kosovë – Zyrtar policor nën hetim për rrjedhje informacioni tek shërbimet sekrete serbe

Një aksion i gjerë është duke u zhvilluar në Kosovë në lidhje me dyshimet për veprën penale të spiunazhit, ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është duke u udhëhequr nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Hetimet lidhen me dyshimet për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme dhe të klasifikuara në llogari të shërbimeve sekrete serbe.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se në qendër të këtij operacioni është një zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili po hetohet për rrjedhjen e të dhënave sensitive drejt strukturave të inteligjencës serbe.

“Ajo çka dihet deri më tani është se po zhvillohet një operacion i kundërspiunazhit ndaj një zyrtari të Policisë, i cili është hetuar për rrjedhje të informacioneve sensitive në llogari të shërbimeve sekrete serbe”, tha një burim i besueshëm.

Prokuroria ka njoftuar gjithashtu se Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me ligjet në fuqi.

Ky është një nga rastet më serioze të dyshimeve për spiunazh brenda institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe pritet që autoritetet të japin më shumë detaje në vijim.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button