Shtatë kandidatë në garë për tre pozita gjyqtari në Gjykatën Supreme të Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar listën me shtatë kandidatë që kanë kaluar fazën e verifikimit dhe janë kualifikuar për të garuar për tri pozita të gjyqtarit në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Kandidatët që synojnë këto pozita janë:
Faton Ademi
Faton Bajrami
Halide Reka
Nora Ballaca-Dula
Qerim Ademaj
Rafet Haxhaj
Ramush Bardiqi
Sipas KGJK-së, shumica e kandidatëve aktualisht ushtrojnë funksione gjyqësore. Gjyqtari Qerim Ademaj, i cili deri në janar të vitit 2025 ishte anëtar i KGJK-së, aktualisht shërben në Gjykatën e Apelit. Po ashtu, Ademi, Reka, Ballaca-Dula dhe Haxhaj janë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Bardiqi dhe Bajrami janë gjyqtarë në Gjykatën Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë.
Konkursi për këto tri pozita u shpall gjatë mbledhjes së 347-të të KGJK-së, më 28 maj 2025. Dy nga këto pozita do t’i përkasin Panelit Ankues të Agjencisë Kosovare të Pronës, që funksionon në kuadër të Gjykatës Supreme.
Të shtatë kandidatët, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, pritet të intervistohen më 22 korrik 2025. KGJK ka ftuar institucionet dhe organizatat relevante për të monitoruar këtë proces, duke theksuar përkushtimin e saj ndaj meritokracisë, transparencës, barazisë dhe objektivitetit.
Paneli për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve përbëhet nga:
Fejzullah Rexhepi – Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës / Kryetar i Komisionit
Albert Zogaj – Kryesues i KGJK-së / Anëtar i Komisionit
Teuta Ibrahimi – Anëtare e KGJK-së / Anëtare e Komisionit
Vilard Bytyqi – Anëtar i KGJK-së / Anëtar i Komisionit
Nenad Laziq – Gjyqtar në Gjykatën Supreme / Anëtar i Komisionit
Drita Rexhaj – Anëtare e KGJK-së / Anëtare rezervë
Zenel Leku – Gjyqtar në Gjykatën Supreme / Anëtar rezervë
Procesi pritet të përmbyllet me rekomandimin e tre kandidatëve më të suksesshëm, të cilët më pas do të emërohen në pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Supreme.