AIP ndërhyn për shkak të kamerave të vendosura pa leje në Obiliq

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), pas pranimit të informatave, realizoi një aksion në një fshat të Obiliqit për të inspektuar dy kamera të vendosura nga një qytetar.
Gjatë kontrollit, AIP konstatoi se kamerat po vëzhgonin edhe prona publike, gjë që është jashtë standardeve ligjore. Kamerat ishin të tipit 360 gradë dhe filmonin rrugën kryesore të fshatit dhe hapësira të tjera, për të cilat përdoruesi nuk kishte marrë leje.
Zyrtarët e AIP-së dhanë urdhër për largimin e kamerave, ndërsa gjatë këtij aksioni u asistuan edhe nga Policia e Kosovës. Të dhënat e mbledhura përmes xhirimeve do të kontrollohen për të përcaktuar nëse do të procedohet më tej.
“Në bashkëpunim me kontrolluesin kemi caktuar një takim. Ai do t’i sjellë pajisjet e regjistrimit dhe në bazë të gjetjeve që bëjmë ne do të lëshojmë rekomandime ose vendimin përfundimtar, që përfshin largimin e kamerave dhe fshirjen e të gjitha të dhënave të përpunuara pa bazë ligjore,” tha Arbian Arifi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Në rast se konfirmohet shkelja e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, qytetari mund të gjobitet. Arifi theksoi se gjoba është masa e fundit, por Agjencia është e detyruar ta shqiptojë atë në rastet kur të dhënat personale të qytetarëve janë përpunuar pa leje.
Agjencia apelon tek qytetarët që të vendosin kamera për siguri vetëm në hapësirën e tyre private dhe të mos prekin territor publik, pasi sipas legjislacionit, vetëm Policia ka të drejtë të vëzhgojë hapësirat publike.