
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim për mungesën e ujit të pijes në disa komuna të vendit, duke theksuar se kjo është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës dhe e kompanive rajonale të ujësjellësit.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se gjatë kësaj vere qytetarët kanë shprehur shumë ankesa për mungesën e furnizimit me ujë të pijes. Ai ka theksuar se është e padrejtë që komunat të fajësohen, pasi ligjërisht përgjegjësia për furnizimin dhe cilësinë e shërbimit i takon kompanive rajonale dhe qeverisë qendrore.
“Komunat kanë bërë investime në rrjetet lokale, por pa investime qendrore në burime të reja dhe digë akumuluese nuk mund të ketë përmirësim të situatës”, tha Ibrahimi. Ai shtoi se të gjitha pagesat për ujin dhe shërbimet e kanalizimit mblidhen nga kompanitë rajonale dhe jo nga komunat, prandaj çdo problem në furnizim është përgjegjësi e tyre.
Ibrahimi ka sqaruar se kompetencat e komunave, sipas ligjit, përfshijnë vetëm ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit, e cila më pas kalon në pronësi dhe menaxhim të KRU-ve. Ai ka theksuar gjithashtu shqetësimin për mungesën e investimeve strategjike në gjetjen e burimeve të reja të ujit dhe ndërtimin e digave akumuluese.
“Pa projekte madhore në këtë drejtim, nuk do të ketë përmirësim të situatës së furnizimit me ujë të pijes në vend”, përfundoi kryetari i AKK-së.