Afati për aplikim në zgjedhjet lokale drejt përfundimit: Kandidatët në proces verifikimi ligjor

Vetëm edhe dy javë kanë mbetur deri në afatin përfundimtar të aplikimit për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025. Deri më 13 gusht, subjektet politike janë të obliguara të dorëzojnë aplikimin për certifikim pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), bashkë me listat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamble komunale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Gazeta Express se brenda këtij afati, të gjitha partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur duhet të përmbushin kriteret ligjore për t’u certifikuar. Ai theksoi se subjektet kanë të drejtë të zgjedhin në cilat komuna do të garojnë dhe në cilat pozita – për kryetar komune, kuvend komunal, apo të dyja njëkohësisht.
Procesi i verifikimit të kandidatëve pritet të përfshijë mijëra emra dhe do të kryhet në bashkëpunim me institucione shtetërore, për të garantuar përputhshmërinë me kriteret ligjore. Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndalohen të kandidojnë personat që:
- Kanë funksione publike të caktuara,
- Janë pjesë e KQZ-së, Komisioneve Komunale apo PZAP-it,
- Janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për një ose më shumë vjet burgim,
- Nuk kanë përmbushur urdhrat apo gjobat e vendosura nga KQZ ose PZAP.
Për kandidatët për kryetar komune, sipas nenit 9 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale, ekziston edhe një kërkesë shtesë – ata duhet të kenë qenë banorë të komunës ku garojnë për së paku tre vite.
Për të verifikuar dënimet penale dhe ndalimet ligjore, KQZ do të bashkëpunojë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe institucione të tjera relevante.
Zgjedhjet e 12 tetorit do të jenë të tetat me radhë për kuvendet komunale dhe të gjashtat për kryetarët e komunave në Kosovë. Pritet që pjesëmarrja dhe gara të jetë e lartë, ndërsa procesi i certifikimit mbetet thelbësor për garantimin e standardeve ligjore dhe demokratike të zgjedhjeve.