Adriatik Lapaj nga Korça: Koha për transformim të Republikës – Shqipëria ka nevojë për demokraci të vërtetë

Korçë – Adriatik Lapaj, drejtuesi i Nismës “Shqipëria Bëhet”, gjatë një takimi me qytetarët në Korçë, ka theksuar nevojën urgjente për një transformim të thellë të Shqipërisë. Ai nënvizoi se angazhimi i tij nuk ka të bëjë me karrierën personale, por me dëshirën për të ndërtuar një shtet demokratik dhe për t’u përballur me sfidat reale të qytetarëve.
“Kjo nuk është betejë për karrierë, ne nuk zgjodhëm të lëpihemi për të ecur përpara. Ne zgjodhëm të përballemi,” deklaroi Lapaj, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një kthesë të fortë drejt demokracisë së vërtetë.
Ai kërkoi miratimin e ligjit për referendumet, si një mjet për të forcuar zërin e qytetarëve në vendimmarrje, si dhe depolitizimin e administratës publike. “Na duhet ligji për referendumet, që populli të thotë fjalën e fundit. Duhet të depolitizojmë administratën publike,” u shpreh ai.
Një tjetër pikë kyçe e programit të tij është arsimi. Lapaj propozon rritjen e buxhetit për arsimin në 7% të PBB-së dhe krijimin e programeve “after school”, për të përmirësuar cilësinë e edukimit. “Ne do ta çojmë buxhetin për arsimin në 7 përqind të PBB-së,” tha ai, duke shtuar se lufta kundër korrupsionit duhet të fillojë nga maja e shtetit.
Në aspektin ekonomik, Lapaj premtoi një taksë fikse prej 10% dhe theksoi se qytetarët që bëjnë më shumë se një punë nuk do të taksohen shtesë. “Populli duhet të qëndrojë këtu, ne duam të ndërtojmë një popull të pasur,” përfundoi ai.
Nisma “Shqipëria Bëhet” duket se po kërkon të sjellë një alternativë të re në politikën shqiptare, duke vënë theksin te demokracia direkte, drejtësia sociale dhe ndershmëria në qeverisje.