Sport

Adrian Bajrami ftohet për herë të parë në Kombëtaren e Zvicrës: “Telefoni im po vlon nga mesazhet”

Mbrojtësi Adrian Bajrami ka marrë ftesën e tij të parë për Kombëtaren e Zvicrës, duke shkaktuar emocione të forta për të dhe familjen e tij.

“Telefoni im po vlon nga mesazhet. Po marr shumë urime nga familja dhe miqtë, gjë që më gëzon jashtëzakonisht shumë”, tha Bajrami për Blick, vetëm disa orë pas publikimit të listës nga trajneri Murat Yakin të enjten në mëngjes.

Bajrami, i cili prej kësaj vere luan për FC Luzern, u përfshi në listën e tetorit për kualifikimet e Botërorit. Vetëm pak orë pas ftesës, trajneri i Luzernit, Mario Frick, deklaroi se “klubi është shumë krenar” për mbrojtësin e ri.

23-vjeçari u formua në akademinë e YB-së para se në moshën 16-vjeçare të transferohej te Benfica, ku qëndroi shtatë vjet dhe arriti deri në skuadrën e parë. Ai ka luajtur më herët për Zvicrën U18, por gjatë qëndrimit në Portugali vendosi të përfaqësojë Shqipërinë, duke zhvilluar tri ndeshje miqësore me ekipin kombëtar kuqezi.

I pyetur për shokët e rinj të skuadrës, Bajrami tha: “Nuk i njoh shumë prej tyre ende. Nga Kombëtarja njoh Zeki Amdounin, me të cilin luajta te Benfica, dhe Fabian Rieder, që është mik i mirë nga koha në YB.”

Ai shprehu gjithashtu respekt të madh për kapitenin Granit Xhaka: “Nuk e njoh ende personalisht, por mezi pres ta takoj. Ai është një shembull për shumë futbollistë të rinj. Për mua ka qenë gjithmonë model.”

Sa i përket zgjedhjes së tij për t’u rikthyer te Zvicra, mbrojtësi theksoi: “Unë kam lindur dhe jam rritur në Zvicër. Ky është atdheu im. Rrënjët e mia shqiptare nuk mund t’i fsheh, jam krenar për to. Por në thelb është e qartë se Zvicra është shtëpia ime.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button