Kosova
Kryesore

Belgjika njeh zyrtarisht atasheun e Mbrojtjes së Kosovës në Bruksel: Thellohet bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken, kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët për media ku kanë shpallur një hap të ri në marrëdhëniet dypalëshe: Belgjika ka vendosur të njohë zyrtarisht atasheun e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Bruksel.

Ky vendim shihet si një përforcim i përfaqësimit ushtarak të Kosovës dhe një sinjal i qartë i thellimit të marrëdhënieve institucionale ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Mirënjohës pafund për mbështetjen që Belgjika i ka ofruar Kosovës që nga viti 2008, ndërsa jam tejet i entuziazmuar për marrëdhëniet tona që po fillojnë të thellohen në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Në Ballkanin Perëndimor, Belgjika gjithmonë do të ketë Kosovën aleat të besueshëm të saj,” deklaroi ministri Maqedonci.

Nga ana tjetër, ministri belg Theo Francken e përshkroi këtë zhvillim si një “hap logjik” për përforcimin e partneritetit dypalësh në fushën e mbrojtjes. Ai theksoi se marrëdhëniet me Kosovën janë “historike dhe strategjike”.

“Kosova luan rol kyç në Ballkanin Perëndimor dhe ne po tregojmë përkushtimin tonë, si në terren me KFOR-in, ashtu edhe diplomatikisht”, u shpreh Francken.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Kosova po intensifikon përpjekjet e saj për integrim në strukturat euroatlantike, ndërsa mbështetja nga partnerët perëndimorë shihet si thelbësore në këtë rrugëtim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button