Rama kundër propozimit të Trump: Shqipëria s’mund të shpenzojë 5% të PBB-së për ushtrinë

Kryeministri Edi Rama është shprehur kundër propozimit të presidentit amerikan Donald Trump që anëtarët e NATO-s të dedikojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se Shqipëria nuk mund të ketë një ushtri të kompletuar deri tek armët bërthamore, dhe nuk është qëllimi i vendit të mbushë depot me pajisje ushtarake që nuk do t’i përdorë.
“Duke parë që tani është fryma e përgjithshme për rritje të buxheteve, na vijnë kompani nga të katër anët e Europës për të ofruar pajisje të ndryshme. Shqipëria nuk mund të ketë një ushtri nga A në Zh si Franca, por duhet të jetë komplementare në kontekstin europian,” tha Rama.
Ai shtoi se “çështja nuk është sa para investojmë, por si i përdorim ato me efikasitet, duke pasur një plan të mirë menduar dhe procedura të qarta për garancinë e efektivitetit të shpenzimeve.”
“Nëse bëhet thjesht një histori shpenzimi buxheti dhe mbushje depot me mallra që nuk do t’i përdorim, atëherë kjo nuk është zgjidhje,” përfundoi kryeministri.