Rutte kritikon Putinin për delegacionin në bisedimet e paqes në Turqi: “Topi është në fushën e tij”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të dërguar një delegacion të nivelit të ulët në bisedimet e drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës që pritet të rinisin në Turqi. Nga Tirana, ku po mbahet Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian, Rutte deklaroi se ky ishte një gabim strategjik nga ana e Kremlinit.
“Putini bëri shumë gabim që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët, ndërsa Ukraina tregoi përgjegjësi dhe vullnet duke marrë pjesë me një ekip serioz për të negociuar paqen,” theksoi Rutte para gazetarëve.
Shefi i NATO-s shtoi se përgjegjësia tani qëndron tek Rusia: “Topi është në fushën e tij. Ai duhet të jetë serioz në përpjekjet për të gjetur paqen. Trysnia është mbi të.”
Rutte, i cili ka pasur kontakte të vazhdueshme me Putinin gjatë kohës kur ishte kryeministër i Holandës, tha se e njeh mirë qasjen e presidentit rus dhe theksoi nevojën për angazhim real nga Moska.
Ai përshëndeti gjithashtu rolin e SHBA-ve në këtë proces, duke vlerësuar përpjekjet e presidentit Trump për të zhbllokuar situatën dhe për të mbështetur përpjekjet për paqe në rajon.
“Çdo pjesë e territorit të Ukrainës duhet të jetë aty,” shtoi Rutte, duke lënë të kuptohet se asnjë kompromis territorial nuk është i pranueshëm për NATO-n dhe aleatët e saj.
Bisedimet në Turqi priten me interes të madh ndërkombëtar, ndërkohë që prania e ministrave të jashtëm në Samitin e Tiranës mund të japë sinjale të reja për ecurinë e dialogut.