
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës, Tedi Kopliku, foli në lidhje me çështjen e hapjes së kampeve të burgjeve të huaja në Shqipëri.
Kopliku u shpreh se Kryeministri Edi Rama po e trajton Shqipërinë si pronën e tij private, dhe për këtë arsye ndërkombëtarët e kanë shumë të lehtë ta shohin vendin tonë si një kosh plehrash.
“Të huajt sillen ndryshe këtu nga mënyra se si sillen në vendet e tyre. Ata na trajtojnë në përputhje me mënyrën si ne e trajtojmë veten. Është shumë e lehtë për ndërkombëtarët që ta shohin Shqipërinë si një kosh plehrash, për sa kohë vendi drejtohet nga njerëz pa vizion dhe pa integritet, si Edi Rama.
Franca mbetet vendi i të drejtave të njeriut, sepse në ato vende respektohen të drejtat e njeriut. Këtu, përkundrazi, situata po përkeqësohet gjithnjë e më shumë, sepse Rama na paraqet në tryezat ndërkombëtare si një territor të pashpirt dhe pa vlerë. Ai ka ngritur një strukturë dhe një mekanizëm që e trajton Shqipërinë si një plaçkë personale.
Kjo është një shenjë e qartë e një autokracie. Për ndërkombëtarët, kjo situatë është thjesht vazhdimësi e historisë, një terren ku ata mund të zbatojnë projektet e tyre pa hasur rezistencë. Kjo nuk ka asnjë lidhje me popullin shqiptar, me ekonominë e vendit, apo me integrimin evropian. Kjo lidhet vetëm me agjenda të caktuara që nuk përputhen me interesat e shqiptarëve”, përfundoi Kopliku.