KryesoreLajme
Kryesore

Programi ‘Interflex’/ Starmer lavdëron Shqipërinë për ndihmën ndaj Ukrainës

Fokusi i vizitës ishte bashkëpunimi ushtarak mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht kontributi i vendit tonë në kuadër të programit ‘Interflex’, i cili udhëhiqet nga Britania dhe synon trajnimin e ushtarëve ukrainas për përballjen me agresionin rus.
Ndihma që Shqipëria po i jep Ukrainës si pjesë e programit “Interflex”, të udhëhequr nga Britania për trajnimin e ushtarëve ukrainës për luftën me Rusinë, u vlerësua me superlativa nga kryeministri Starmer i shoqëruar nga ministri ‘Mbrojtjes’ Pirro Vëngu, teksa vizitoi muzeun e forcave të armatosura në Tiranë. Stamer e ka vizituar Shqipërinë në kuadër të organizimit të samitit të komunitetit politik europian.

Fokusi i vizitës ishte bashkëpunimi ushtarak mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht kontributi i vendit tonë në kuadër të programit “Interflex”, i cili udhëhiqet nga Britania dhe synon trajnimin e ushtarëve ukrainas për përballjen me agresionin rus.

Starmer nuk kurseu vlerësimet për rolin e Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij angazhimi në mbrojtje të vlerave euroatlantike.
“Puna që po bëni aktualisht, trajnimet për ushtarët ukrainas, ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kam qenë vetë në trajnimet e “Interflex” dhe i kam ndjekur nga afër disa herë. Profesionalizmi dhe përkushtimi i treguar janë në një nivel shumë të lartë. Ky trajnim ka një domethënie të jashtëzakonshme për ukrainasit, të cilët, menjëherë pas tij, nisen drejt vijës së parë të frontit, jo vetëm për të mbrojtur vendin e tyre, por edhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta: lirinë dhe demokracinë. Kjo është arsyeja pse desha të vij, sepse ajo që po bëni këtu është jashtëzakonisht e rëndësishme, dhe unë dua të shpreh mirënjohjen time për këtë angazhim.”-tha Stamer.

Kreu i qeverisë britanike tha se është e domosdoshme nevoja për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, e cila, sipas tij, mund të arrihet vetëm nëse Kievi është në pozicionin më të fortë të mundshëm në këtë fazë të luftës.

“Të gjithë shpresojmë për një përparim në Ukrainë, që të çojë drejt një armëpushimi dhe më pas drejt paqes. Por kjo paqe duhet të jetë e qëndrueshme, dhe unë besoj se kjo mund të ndodhë vetëm nëse Ukraina është në pozicionin më të fortë të mundshëm në këtë fazë të konfliktit. Dhe kjo varet, ndër të tjera, nga puna që po bëni këtu. Ju po kontribuoni realisht në betejën për këto vlera, në mënyrë shumë të prekshme. Ju falënderoj për këtë.”-tha Stamer në fjalën e tij.

Në përfundim të vizitës, Starmer konfirmoi edhe arritjen e një marrëveshjeje të re mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në prodhim dhe prokurime.

“Jam gjithashtu shumë i kënaqur që sot kemi arritur një marrëveshje për të forcuar bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përfshirë prodhimin dhe prokurimet. Sepse besoj se kemi hyrë në një epokë të re për Evropën, një epokë të re për sigurinë dhe mbrojtjen, ku lidhjet me aleatët tanë po bëhen gjithnjë e më të ngushta. Ju falënderoj për kohën që më kushtuat këtë pasdite dhe për mundësinë që më dhatë të shoh nga afër atë që po bëni. Ajo që po realizoni është me rëndësi të madhe dhe është me të vërtetë diçka që më bën krenar, si Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, të shoh këtë partneritet midis Britanisë dhe Shqipërisë. Faleminderit shumë për gjithçka që po bëni. Jam shumë krenar për punën tuaj, dhe ju gjithashtu duhet të ndiheni krenarë për të.”-përfundoi Stamer.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button