Lajme
71-vjeçari gjendet i pajetë në arat e fshatit Kamenicë – dyshohet vdekje natyrale

Një 71-vjeçar është gjetur i pajetë ditën e djeshme në arat e fshatit Kamenicë, në rrethin e Korçës. Trupi i të moshuarit u zbulua nga familjarët, disa ditë pasi ai ishte raportuar i zhdukur nga bashkëshortja e tij.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, shtetasi L. G., 71 vjeç, ishte larguar nga banesa më datë 12 maj 2025. Dy ditë më vonë, më 14 maj, ai u gjet pa shenja jete dhe pa shenja dhune.
Hetimet paraprake nuk kanë konstatuar elementë kriminalë në vendngjarje, ndërsa dyshohet se i moshuari ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.