Lajme
Kryesore

Rama dhe Starmer mbajnë konferencë për shtyp – Diskutohet marrëveshja për kthimin e emigrantëve nga Britania në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij britanik, Keir Starmer, zhvilluan sot një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, në kuadër të vizitës zyrtare të kreut të qeverisë britanike, e cila nisi një ditë më parë.

Gjatë takimit, një nga çështjet kryesore që u trajtua ishte ajo e emigracionit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve për rikthimin e emigrantëve të paligjshëm nga Britania drejt Shqipërisë. Në fokus të diskutimeve ishin veçanërisht personat me precedentë penalë, të cilët autoritetet britanike synojnë t’i rikthejnë në vendin e origjinës përmes marrëveshjeve bilaterale.

Kryeministri britanik Starmer theksoi rëndësinë e vendosjes së qendrave të përkohshme të kthimit, duke e konsideruar këtë si një qasje novatore. “Po diskutojmë këtë çështje me një sërë shtetesh sa i takon qendrave të kthimit. E shoh si novatore dhe të rëndësishme. Në përputhje me punën që kemi bërë dhe marrëveshjet ekzistuese të kthimit, dëshiroj të shtoj këto qendra dhe jemi duke zhvilluar diskutime në këtë drejtim,” deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve do të thellohet jo vetëm në çështjet e emigracionit, por edhe në fushën e marrëdhënieve ekonomike.

Marrëveshjet e kthimit kanë ngjallur debat në opinionin publik dhe politik në Shqipëri, sidomos pas precedentes italiane në Gjadër, ku Italia ka planifikuar të vendosë një qendër për emigrantët e paligjshëm të saj.

Ende nuk janë bërë publike detajet e plota të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ndërsa pritet që të ketë reagime dhe diskutime të mëtejshme në ditët në vijim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button