Lajme

Tenderi 7 miliardë lekë për ndërtimin e shkollës në Tiranë i jepet firmës së lidhur me Tërmet Peçin, denoncohet në KPP

Një tender me vlerë rreth 7 miliardë lekë i dhënë nga Bashkia Tiranë ka ngritur dyshime të forta për parregullsi dhe favorizim. Sipas një denoncimi të bërë në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), përfituesi i tenderit rezulton të jetë kompania NGSTRUCTURES shpk, e themeluar nga bashkëshortja e Drejtorit të Urbanistikës së Bashkisë Tepelenë, një emër i lidhur ngushtë me rrethin e ngushtë të ish-kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi.

Tenderi në fjalë, me objekt “Ndërtim Shkollë 9-vjeçare Tipi (2) dhe të mesme Tipi (4), Njësia Strukturore KA 283, Rruga ‘3 Dëshmorët’”, ka një fond limit prej 694 milion lekësh pa TVSH. Procedura është denoncuar si e parregullt nga kompania ULZA shpk, që ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për kualifikimin e bashkimit të operatorëve “NGSTRUCTURES” dhe “GPG COMPANY” Shpk.

Në ankesën e dorëzuar më 13 maj 2025, biznesmeni Ndue Shpani, pronar i “ULZA” shpk, ka theksuar se disa nga kompanitë pjesëmarrëse, përfshirë atë fituese, nuk plotësonin kriterin teknik të posedimit të certifikatës EN-ISO 3834-2:2021, një kërkesë e domosdoshme sipas dokumentacionit të tenderit.

Një tender i regjistruar nga Veliaj, por i shpallur nga Ristani

Dokumentet tregojnë se tenderi është regjistruar nga Erion Veliaj në datën 31 dhjetor 2024, por fituesi është shpallur më 2 maj 2025, pas arrestimit të tij për korrupsion. Fituesi u bë publik vetëm pas zgjedhjeve, nën drejtimin e kryetares së komanduar, Anuela Ristani, e cila nënshkroi kontratën përfundimtare.

Përfituesja, Aleksandra Bami, dhe lidhjet me pushtetin lokal në Tepelenë

Kompania “NGSTRUCTURES” është krijuar nga Aleksandra Bami në vitin 2017, bashkëshortja e Lorenc Bamit, Drejtor i Urbanistikës në Bashkinë Tepelenë. Edhe pse formalisht aksionet janë kaluar te Hekuran Hoxha, dokumentet tregojnë një histori të dyshimtë transaksionesh brenda familjes dhe partnerëve të afërt.

Kompania ka përfituar tendera të shumtë në bashki të drejtuara nga eksponentë të PS-së, përfshirë Poliçanin dhe Gjirokastrën, me një rritje të menjëhershme të faturimeve dhe fitimeve pas krijimit të saj.

Skenar i njohur tenderimi me “oferta fiktive”

Në këtë procedurë morën pjesë 27 kompani, por shumica u skualifikuan. Disa prej ofertave rezultuan të ishin me vlerë zero, një sinjal i qartë për një garë formale me fitues të paracaktuar. Për të “legjitimuar” diferencën, një kompani partnere e fitueses dorëzoi një ofertë shumë të lartë, ndërsa bashkimi “NGSTRUCTURES” – “GPG COMPANY” fitoi me vlerë afër fondit limit.

Rrjeti klientelist që çon te Tërmet Peçi

Hetimi shkon më tej duke zbuluar se firma fituese është pjesë e një rrjeti të ndërtuar përmes bashkëpunimit familjar dhe institucional, ku në qendër qëndron ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi. Kompani të lidhura me këtë rreth kanë përfituar qindra mijëra euro nga fondet IPARD dhe nga vetë bashkitë ku Peçi ka pasur ndikim.

Në vitin 2019, kompania IUMENTIS shpk, e krijuar nga Gjolek Shehu dhe më pas e shitur për vetëm 1000 euro te Lorenc Bami, përfitoi fonde publike dhe u përfshi në projekte ku u angazhua edhe “NGSTRUCTURES” si kontraktore.

KLSH ka dokumentuar një pjesë të këtyre praktikave, ndërsa një faturë prej 140 mijë eurosh e lëshuar nga kompania e Aleksandra Bamit për një projekt të financuar publikisht, u zbulua përmes rrjeteve sociale.

Një tender, shumë përgjegjësi

Rasti tregon qartë se emërimi i Anuela Ristanit në krye të Bashkisë Tiranë nuk ka sjellë ndarje nga praktikat e mëparshme të favorizimit klientelist dhe shpërdorimit të fondeve publike. Përkundrazi, tenderat vijojnë të shkojnë në duar të njohura, të lidhura ngushtë me piramidën e pushtetit vendor.

Ngrihen pyetje të forta mbi transparencën, ligjshmërinë dhe ndershmërinë e procedurave të prokurimit në kryeqytet, ndërsa kërkohet një hetim i plotë institucional dhe prokurorial për këtë aferë që përfshin emra të rëndësishëm të administratës dhe bizneseve ndërtuese në Shqipëri.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button