
Dy ditë para se në Tiranë të mbërrijnë liderët evropianë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, pas Britanisë, një tjetër sinjal vjen edhe nga Franca, e cila po shqyrton mundësinë që Shqipëria të shërbejë si vend pritës për refugjatët. Ndërsa kryeministri Edi Rama merr urime nga presidenti Emmanuel Macron, ky i fundit ka përfshirë në mesazhin e tij edhe mundësinë që Shqipëria të jetë vendi që do të presë refugjatë nga Franca.
Sipas gazetës franceze Le Parisien, përballë mbipopullimit të burgjeve, Presidenti i Republikës është shprehur se është i gatshëm të marrë me qira hapësira për qëllime ndalimi, përfshirë edhe jashtë territorit francez.
I pyetur nga kryebashkiaku i Béziers, Robert Ménard, për mungesën e vendeve në burgjet franceze, Emmanuel Macron u shpreh se dëshiron t’i “përshpejtojë” zgjidhjet.
“Po, do të marrim me qira hapësira aty ku janë të disponueshme, nëse është e nevojshme — përfshirë edhe jashtë vendit”, deklaroi ai. “Nuk ka tabu për këtë,” shtoi presidenti.
Ndërkohë, edhe më herët ka qenë kryeministri britanik ai që, në të njëjtën linjë me presidentin francez, ka përmendur Shqipërinë si vend të mundshëm për strehimin e emigrantëve të dërguar nga Britania.
Qeveria e kryeministrit britanik Keir Starmer njoftoi se të enjten, gjatë qëndrimit në Tiranë, Starmer do të shpallë masa të reja për të ndaluar emigracionin ilegal dhe për të goditur krimin e organizuar që lidhet me të.
Gjithashtu, në njoftim theksohet se pas Samitit të Komunitetit Politik Evropian, do të zhvillohen edhe tre tryeza të rrumbullakëta në nivel të lartë. Kryeministri britanik pritet ta paraqesë këtë vizitë si historike, por qëllimi i tij kryesor është ndërtimi i një tjetër qendre për azilkërkues në Shqipëri, e cila do të përdoret për zhvendosjen e emigrantëve — kryesisht nga Lindja e Mesme — nga Britania në territorin shqiptar.
Vendet e BE-së, të nxitura nga marrëveshja Rama-Meloni, po e konsiderojnë Shqipërinë si një vend të përshtatshëm për ndërtimin e kampeve të refugjatëve. Madje, të ardhurit e fundit që pritet të mbërrijnë në Shqipëri përfshijnë persona me probleme të theksuara ligjore.