Kukësi surprizon në zgjedhje: Shkëlqim Shehu më i votuari, përplasje për mandatin e tretë

Zgjedhjet parlamentare të këtij viti kanë sjellë një surprizë në qarkun e Kukësit. Pas përfundimit të numërimit të votave preferenciale, kandidati i Partisë Demokratike, Shkëlqim Shehu, ka rezultuar më i votuari në garën për mandatin e tretë, duke lënë pas rivalin e tij të njëjtë partie, Isuf Çelaj.
Shehu ka marrë 7,493 vota, duke e mposhtur Çelajn me një diferencë prej 433 votash. Ky i fundit, që ka mbajtur mandatin e deputetit në Kukës për dy legjislaturat e fundit, ka siguruar 7,060 vota.
Në vend të tretë renditet Elvira Peka me 2,459 vota, por mandati i tretë për këtë qark mbetet ende i paqartë, pasi pritet numërimi i votave të ardhura nga diaspora. Për Partinë Demokratike, janë gjithsej 1,794 zarfe që do të hapen, të cilat mund të ndikojnë në ndarjen përfundimtare të mandateve.
Rezultatet e deritanishme kanë shtuar pritshmëritë dhe tensionin brenda kampit opozitar, ndërsa sytë tashmë janë drejt kutive të votimit nga jashtë vendit për të zbuluar se kush do të përfaqësojë Kukësin në Kuvend për katër vitet e ardhshme.