Masat e policisë për Samitin e Komunitetit Politik Europian: Bllokime të shumta dhe kufizime në qarkullim

Policia e Shtetit ka publikuar masat e sigurisë dhe planin e menaxhimit të trafikut për garantimin e rendit gjatë zhvillimit të samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet më 16 maj 2025 në Tiranë. Për këtë qëllim, janë planifikuar bllokime të shumta rrugore dhe kufizime të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit dhe në rrugët hyrëse nga aeroporti dhe pikat kufitare.
Zonë e bllokuar totalisht: Sheshi i Samitit
Nga ora 06:00 deri në 18:00 të datës 16 maj, nuk do të lejohet qarkullimi i këmbësorëve dhe automjeteve në të gjithë perimetrin ku do të mbahet aktiviteti. Ky përfshin segmentet e rrugëve:
Nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan d’Ark” deri te rruga “Myslym Shyri”
Segmenti “Myslym Shyri” – “Ibrahim Rugova” – “Rruga e Kavajës”
Rruga “Ded Gjo Luli”, “Urani Pano”, “Barrikadave”, “George W. Bush”
Bulevardi “Zogu i Parë” deri te tuneli i ish-Cirkut
Devijime të trafikut në qytet
Për të shmangur këtë zonë të ndaluar, do të devijohen rrugët kryesore:
Bulevardi “Zogu i Parë” devijon te Ministria e Drejtësisë
Rruga e Durrësit – tek Ministria e Arsimit
Rruga e Kavajës – te semafori i Tymit
Rruga “Myslym Shyri” – tek rruga “Sami Frashëri”
Rruga e Dibrës dhe “Hoxha Tahsim” – tek rruga “Tefta Tashko”
Bllokime të plota në akset hyrëse nga aeroporti dhe pikat kufitare
Lëvizjet e delegacioneve nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pikat kufitare si Hani i Hotit dhe Morina do të shoqërohen me bllokime totale të disa akseve rrugore:
14 maj, ora 22:00-23:00 – bllokim i rrugës nga Rinas deri te rruga e Elbasanit
15 maj, ora 08:00-24:00 – bllokime periodike në itinerarin Rinas – Sheshi “Skënderbej”
16 maj, ora 06:30-11:30 dhe 13:00-18:00 – bllokime të plota në të njëjtin itinerar për ardhje dhe largim të delegacioneve
Rrugë alternative për qytetarët
Policia këshillon qytetarët të shmangin lëvizjet me mjete personale dhe të përdorin rrugët alternative:
Për Rinas: rrugët dytësore të autostradës dhe segmenti Paskuqan – Kamëz – Laknas
Për zonën e Astirit: mbikalimi i “Teodor Keko” dhe rrugë dytësore lidhëse
Për zonën e “Qytetit Studenti”: bulevardi “Bajram Curri” drejt Brylit
Për spitalin “Shefqet Ndroqi”: rruga “Pasho Hysa” dhe devijime të përkohshme
Ndalimi i parkimeve në disa zona
Në datat 15 dhe 16 maj ndalohet parkimi dhe qëndrimi i mjeteve në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe pranë sheshit “Skënderbej”, përfshirë parkimet nëntokësore te:
Sheshi “Skënderbej”, Hotel “Plaza”, Hotel “Tirana”
Godina “Torre Drini”, Qendra “Toptani”, Kulla “Green Tower”
Parkimet VIP dhe private në Rinas
Automjetet e parkuara në kundërshtim me udhëzimet do të tërhiqen nga karrotrecat dhe do të ndëshkohen me masa administrative.
Kufizime të pjesshme dhe qarkullimi për hotelet ku qëndrojnë delegacionet
Më 15 dhe 16 maj, do të ketë kufizime të pjesshme në rrugët përreth hoteleve ku strehohen delegacionet dhe drejt sheshit “Skënderbej”. Po ashtu, në orët e mbrëmjes së 15 majit (19:00 – 24:00), do të ketë kufizime në aksin Elbasan – TEG – Rezervat e Shtetit.
Policia apelon për bashkëpunim
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet në terren, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin rrugët alternative të rekomanduara për të mos penguar zhvillimin e samitit dhe për të garantuar sigurinë maksimale gjatë eventit.