Edi Rama drejt mandatit të katërt – Mediat gjermane kritikojnë sistemin klientelist dhe autoritarizmin në rritje

Pas zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, ku Partia Socialiste e Edi Ramës duket se siguron sërish shumicën, mediat gjermanishtfolëse kanë reflektuar mbi situatën politike dhe zhvillimet në vend. Ndërsa kryeministri aktual shihet si favorit për të nisur një mandat të katërt – një rast i rrallë në rajon – vëzhguesit ndërkombëtarë theksojnë sfidat që mbeten përpara Shqipërisë, sidomos në drejtim të sundimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve demokratike.
Gazeta prestigjioze “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ), në një artikull të botuar sot me titullin “Edi Rama do të jetë për herë të katërt kryetar qeverie i Shqipërisë – portret i një antikonformisti të përhershëm”, përshkruan Ramën si një figurë të çuditshme në politikën europiane – një artist i kthyer në politikan, i cili ka ditur të përfitojë nga sistemi për të konsoliduar pushtetin e tij.
Sipas NZZ, “bumi i ndërtimeve” në vend ka shërbyer si simbol i një realiteti të ndërlikuar, ku ndarja e lejeve dhe tenderëve shpesh ndikohet nga lidhjet politike dhe nepotizmi. “Në qendër të këtij rrjeti qëndrojnë partitë në pushtet dhe kompanitë e lidhura me to”, thekson gazeta, duke nënvizuar se sistemi klientelist i ndërtuar ndër vite është një nga arsyet kryesore të suksesit të vazhdueshëm të socialistëve në zgjedhje.
Në mënyrë të veçantë, NZZ ndalet edhe te arrestimi i fundit i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, mik i afërt i Ramës, i cili akuzohet për ndërtimin e një skeme vetëpasurimi përmes bashkëpunimit me kompani ndërtimi dhe OJQ të afërta. Reagimi i Ramës ndaj këtij arrestimi – me sulme ndaj gjyqtarëve dhe thirrje për protesta – shihet si një goditje e rëndë ndaj reformës në drejtësi, një reformë të cilën ai vetë e kishte promovuar në vitin 2017 në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.
Ndërkohë, radioja publike gjermane “Deutschlandfunk” (Dlf), në një kronikë të gjerë të fundjavës, vë në pikëpyetje drejtimin autoritar të Ramës. “Edi Rama është në BE një mik i mirëpritur, por sa autoritar është ai në vendin e tij?” – pyet Dlf, duke theksuar kontrastin mes imazhit të tij në arenën ndërkombëtare dhe realitetit të brendshëm shqiptar.
Sipas analizës së Dlf, Rama mbetet një partner i fortë gjeopolitik për BE-në dhe një mbështetës i qartë i kursit proeuropian, por kritikët paralajmërojnë se përparimet në drejtësi dhe demokraci janë ende të pasigurta dhe shpesh vetëm “në letër”.
Nëse Edi Rama arrin ta sigurojë mandatin e tij të katërt, ai do të jetë në pushtet për 16 vite, një kohëzgjatje që nuk ka precedentë në historinë e demokracisë shqiptare post-komuniste. Por bashkë me këtë rekord, mbeten edhe dyshimet për centralizim të pushtetit, klientelizëm dhe zbehje të institucioneve të pavarura, që do të vazhdojnë të jenë në fokusin e kritikëve brenda dhe jashtë vendit.