Lajme
Lezhë: Arrestohen dy të mitur për vjedhjen e një automjeti, makina u gjet në Balldren

Dy të mitur 16-vjeçarë janë arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se kanë vjedhur një automjet gjatë natës, ngjarje që u denoncua dy ditë më parë nga një 64-vjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, më datë 11 maj 2025, shtetasi L. N. ka bërë kallëzim për vjedhjen e mjetit të tij. Menjëherë pas denoncimit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë kanë nisur hetimet dhe kanë mundur të identifikojnë autorët e dyshuar.
Pas veprimeve hetimore, të miturit u kapën dhe u ndaluan nga uniformat blu. Automjeti i vjedhur u gjet në fshatin Balldren dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.