Fotografimi i votës në zgjedhje – Dy të arrestuarit dalin para Gjykatës së Tiranës

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura dy ditë më parë në vendin tonë nuk kanë kaluar pa problematika, me një ndër shkeljet më të përhapura gjatë procesit të votimit që rezultoi të ishte fotografimi dhe publikimi i votës.
Pikërisht për këtë vepër penale, ditën e sotme janë paraqitur për vlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës dy shtetas, Hasan Doka dhe Alketa Hasani. Ata u arrestuan më 11 maj, në ditën e zgjedhjeve, nën akuzën për shkeljen e fshehtësisë së votimit përmes fotografimit të votës.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa seanca gjyqësore po zhvillohet dhe pritet që gjyqtari Sokol Pasho të japë vendimin në vijim.
Ndërkohë, për të njëjtën vepër penale janë arrestuar edhe dy persona të tjerë në kryeqytet, të cilët pritet të dalin të mërkurën përpara gjykatës. Autoritetet kanë theksuar se do të ndëshkojnë çdo tentativë për cenimin e fshehtësisë së votës, si një element kyç i proceseve demokratike.