
Në javët e fundit, emisioni “Piranjat” ka treguar se si Bashkia e Shijakut, në mungesë të një kontrate me Landfillin e Sharrës për depozitimin e mbetjeve urbane, siç e parashikon ligji, zgjedh ta shkelë këtë të fundit me të dyja këmbët dhe në mënyrë krejtësisht të jashtëligjshme, në një zonë me mijëra m² në Hardhishtë, vetëm 1.3 km larg qendrës së fshatit, vendos të krijojë një vendgrumbullim artificial mbetjesh, pa asnjë kusht teknik, pa asnjë masë të marrë për mbrojtjen e mjedisit, duke dëmtuar rëndë natyrën.
“Piranjat” treguan gjithashtu se si aty vihet në punë eskavatori i Bashkisë për të hapur gropa me qëllim mbushjen e tyre me mbetje, apo se si punonjës të firmës AMR, kontraktuar me miliona euro për pastrimin e qytetit, bëjnë pazare për grumbullimin e mbetjeve të palëve të treta dhe këtë zonë e përdornin si vend depozitimi, pa kurrfarë droje.
Të gjitha këto fakte iu vendosën përpara kryetarit të bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, i cili gënjeu ditën për diell duke mohuar çdo gjë. Por megjithatë, në fund të bisedës me gazetarin, kryetari u dorëzua ndaj fakteve dhe argumenteve, duke u zotuar se do të marrë masa, por siç rezultoi, gënjeu sërish. Sepse disa ditë pas takimit me kryetarin përpara godinës së Bashkisë, “Piranjat” udhëtuan prapë për në Hardhishtë, por nëse herën e parë ishin të përqendruar më së shumti në zonën e vendgrumbullimit, këtë herë ju tregojnë dhe pak nga situata e mbetjeve në gjithë rrugën që përshkojnë për të shkuar në pikën problematike. Plehrat janë kudo, të hedhura nëpër cepa rrugësh e kryqëzimesh. 1, 2 apo 3 kazanë mbeturinash duken që nuk shërbejnë për asgjë, aq sa të pastrosh mbetjet në këtë qytet, konsiderohet një mision i pamundur.
Dhe situata në fshatin Hardhishtë ishte e njëjtë. Mbeturinat e të gjitha llojeve janë hedhur në rezervatet e krijuara nga uji i Liqenit të Hardhishtës, ujë që u shërben fshatarëve për tokat e tyre, produktet e të cilave mund të përfundojnë në tavolinën e gjithsecilit prej nesh.
Situata ishte e njëjtë dhe problematike edhe pranë mbikalimit të Katund-Sukthit, ku në më pak se 1 km rrugë, nuk mund të mos shohësh këto pamje, 3 pika që shërbejnë si vendgrumbullim mbeturinash për banorët e zonës, por që kanë dalë jashtë kontrollit.
Dhe nëse mendoni se kjo situatë e mbeturinave është vetëm kaq, e izoluar në disa rrugë të qytetit, e keni gabim. Plehrat kanë pushtuar edhe varrezat, siç janë ato të reja në fshatin Pjesëz dhe në Xhavzotaj. Nga gjithë pamjet që janë transmetuar, dukshëm Bashkia Shijak dhe të gjithë personat kompetentë për të mbajtur pastër qytetin, nuk paskan respekt për qytetarët, për njerëzit e gjallë, por nuk paskan respekt as për njerëzit që kanë ndërruar jetë. Dhe lind pyetja: Cili është problemi me Bashkinë e Shijakut? Firma e kontraktuar AMR ka marrë paratë dhe nuk bën punën, apo kryetari i Bashkisë ka çelur një fond, një tender dhe nuk ka bërë pagesën?
Gazetari Freard Rista u takua sërish me kryetarin e Bashkisë, Elton Arbana, ndërsa ky i fundit sërish mohoi situatën katastrofike në Hardhishtë.
Nga pamjet që “Piranjat” transmetuan 2 javë më parë, treguan se si Kodër-Dollaka ishte kthyer në një kodër mbeturinash me sipërfaqe mbi 3000 m² të “pushtuar“ nga plehrat. Asnjë landfill i licensuar për qytetin e Krujës, asnjë leje mjedisore për trajtimin e mbetjeve në këtë zonë të qarkut Durrës, asnjë kontratë me landfillin e Sharrës dhe shkelje me të dyja këmbët e projektit që e cilësonte Kodër-Dollakën si venddepozitim të përkohshëm mbetjesh.
Ndaj, për të mësuar se si është mbërritur deri në këtë situatë, gazetari Freard Rista takoi kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushi. Ky i fundit nuk dha asnjë përgjigje, me justifikimin se do të nxitonte për në mitingun e organizuar në Fushë-Krujë.