Lajme

“Nën urë, ndërsa spektakli kalon sipër”: Qytetarët e Tiranës denoncojnë rrezikun gjatë Giro d’Italia

Qytetarët e Tiranës kanë shprehur shqetësimin e tyre për një situatë të rrezikshme në zonën qendrore të kryeqytetit, pikërisht aty ku po zhvillohet ngjarja ndërkombëtare Giro d’Italia. Ata denoncojnë faktin se janë të detyruar të kalojnë nën një urë të amortizuar, në kushte të pasigurta, ndërkohë që mbi të zhvillohet një event luksoz dhe i mediatizuar.

Sipas qytetarëve, kjo situatë është tregues i mungesës së përgatitjes së infrastrukturës rrugore dhe neglizhencës së autoriteteve për sigurinë publike. Për më tepër, vendimi për të sjellë këtë event në Shqipëri në një periudhë zgjedhjesh elektorale është parë nga shumëkush si një përpjekje për propagandë dhe jo si një investim real në interes të qytetarëve.

“Është tronditëse që për të promovuar një imazh të jashtëm të vendit, ne detyrohemi të kalojmë poshtë urave si në një vend të botës së tretë. Mbi ne kalon spektakli, paratë dhe pushteti; poshtë ne, qytetarët e zakonshëm, të lënë në errësirë dhe pasiguri,” shprehen denoncuesit.

Kontrasti midis pamjes që qeveria përpiqet të ndërtojë dhe realitetit të përditshëm të qytetarëve ka nxjerrë në pah një ndarje të thellë sociale dhe një mungesë respekti për dinjitetin njerëzor. Në vend që të ndihen të sigurt në hapësirat publike, qytetarët përjashtohen dhe shtyhen anash, të detyruar të përshtaten me kushtet e mjerueshme të infrastrukturës.

Kjo nuk është më thjesht çështje teknike – është një mesazh i qartë: pamja e jashtme dhe propaganda janë vendosur mbi mirëqenien dhe dinjitetin e njerëzve të zakonshëm. Dhe ky është një realitet që nuk mund të fshihet pas flamujve dhe kamerave./Syri.net

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button