Lajme

Fëmijët e sotëm, viktimat kryesore të krizës klimatike: Rreziqet shtohen me brezin e ri

Fëmijët që lindin sot do të përballen me rreziqe klimatike më të mëdha dhe më të shpeshta se çdo brez tjetër në histori, paralajmëron një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature. Valët ekstreme të të nxehtit, përmbytjet, thatësirat, zjarret, ciklonet dhe dështimet e të korrave pritet të jenë realitet i përditshëm për ta, veçanërisht për ata që jetojnë në varfëri.

Sipas studimit, një fëmijë i lindur në vitin 2020 ka deri në 7 herë më shumë gjasa të përjetojë ngjarje ekstreme klimatike krahasuar me një të lindur në vitin 1960. Nëse temperatura globale rritet me 2.7°C deri në vitin 2100, rreth 52% e fëmijëve të këtij brezi do të përjetojnë valë të rrezikshme të nxehti gjatë jetës së tyre. Kjo përqindje rritet në mënyrë dramatike, në 92%, nëse ngrohja arrin 3.5°C.

Studimi parashikon gjithashtu se në skenarët më të këqij, 29% e fëmijëve të lindur në vitin 2020 do të përballen me dështime të të korrave, ndërsa 14% me përmbytje. Më të prekurit do të jenë fëmijët që jetojnë në zonat tropikale dhe në kushte të vështira ekonomike. Analiza tregon se 92% e fëmijëve nga shtresat më të varfra do të jenë të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve klimatike, kundrejt 79% të atyre që jetojnë në mjedise më të pasura.

Shkencëtarët përdorën të dhëna demografike dhe modele klimatike për të llogaritur ndikimin ndërbrezor të ndryshimeve klimatike. Studiuesi Luke Grant theksoi se jeta “e paprecedentë” për këta fëmijë do të jetë e shënuar nga përballja me ekstreme klimatike që nuk do të ndodhnin pa ndikimin njerëzor në klimë.

Ndërkohë, studimi nuk merr parasysh faktorë si fertiliteti, vdekshmëria apo migrimi, të cilët mund ta rëndojnë edhe më shumë situatën. Studiueset Susanna Gualdi dhe Raya Muttarak kërkojnë që drejtësia ndërbrezore të jetë në qendër të politikave për kalimin drejt një bote me zero emetime.

Nëse nuk merren masa urgjente për të ulur emetimet e gazrave serrë, fëmijët e sotëm do të përballen me një të ardhme gjithnjë e më të rrezikshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button