Bota

Axial Seamount, vullkani nënujor pranë Oregonit, pritet të shpërthejë së shpejti

Vetëm 400 kilometra larg bregut të Oregonit, vullkani nënujor Axial Seamount po jep shenja të qarta se një shpërthim është i pashmangshëm. Shkencëtarët nga Universiteti i Uashingtonit kanë vërejtur rritje të aktivitetit sizmik në këtë rajon, duke sinjalizuar mbushjen e dhomës së magmës dhe mundësinë e një shpërthimi të afërt.

Axial Seamount ndodhet mbi kurrizin mesoqeanik të Juan de Fuca, ku dy pllaka tektonike ndahen, duke krijuar një zonë të nxehtë me presion të vazhdueshëm nëntokësor. Gjatë javëve të fundit, janë regjistruar qindra tërmete çdo ditë, një paralajmërim i zakonshëm para një shpërthimi vullkanik.

Sipas profesor William Wilcock, gjeofizikan detar, shpërthimi mund të ndodhë në fund të vitit 2025 ose në fillim të 2026-ës, por nuk përjashtohet as mundësia që ai të ndodhë nesër.

Kujtojmë se shpërthimi i fundit i Axial Seamount në prill të vitit 2015 çoi në mbi 10 mijë tërmete në vetëm 24 orë, ndërsa magma u përhap në një distancë prej 40 kilometrash në dyshemenë e oqeanit.

Megjithëse shpërthimet përkohësisht shkatërrojnë jetën përreth, krateri i krijuar nga shembja e dhomës së magmës është kthyer në një habitat të pasur për krijesat nënujore, të cilat përfitojnë nga gazrat mineralë të burimeve hidrotermale.

“Jeta rikthehet shumë shpejt në këto zona, ndonjëherë brenda pak muajsh,” deklaron profesorja Debbie Kelley, duke shtuar se vëzhgimi i këtij rajoni është thelbësor për të kuptuar më mirë proceset që formojnë planetin tonë.

Për herë të parë, shpërthimi i ardhshëm do të transmetohet drejtpërdrejt për publikun, falë teknologjisë së avancuar të observatorit Regional Cabled Array, duke ofruar një dritare unike në thellësitë misterioze të Tokës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button