Lajme

Veliaj “rikthehet” nga burgu me një mesazh për zgjedhjet: Pafytyrësi në lavdërim dhe thirrje për votë

Dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, Erion Veliaj ka shpërndarë një mesazh në rrjete sociale që ka ngjallur habi, jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për faktin se ai ndodhet në paraburgim. Mesazhi i publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, që sipas disa burimeve më shumë duket se është menaxhuar nga të tretë, sesa shkruar prej tij, është tentativa më e fundit për të ndikuar në rezultatin e votimit të së dielës.

Veliaj, i arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike, nuk kishte bërë asnjë deklaratë gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Megjithatë, dy ditë para votimit, ai ka “thyer heshtjen” nga banesa e tij e mbikëqyrur në zonën e “Durrësit”, duke publikuar një deklaratë ku i bën thirrje qytetarëve të votojnë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Në mesazh, ai shkruan:

“Ka vetëm një ekip në fushë që meriton sot besimin tuaj. Prandaj, me gjithë dashurinë dhe mirënjohjen time, ju ftoj:
Votoni Partinë Socialiste. Votoni Edi Ramën. Votoni Shqipërinë që ecën përpara!”

Ky apel vjen në një moment kur Veliaj është i izoluar nga çdo aktivitet politik dhe kur besnikët e tij janë shkarkuar nga strukturat e Bashkisë së Tiranës. Kryeministri Rama, i cili kohët e fundit ka ruajtur një distancë të dukshme nga ish-kryebashkiaku, nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta mbrojtur publikisht.

Kujtojmë se Veliaj ka përdorur edhe më parë influencën e tij për të ndërhyrë në fushata, edhe nga paraburgimi. Sipas burimeve, ai ka vazhduar të drejtojë fushata përmes kanaleve informale dhe ka sulmuar publikisht organet e drejtësisë përmes mediave pranë tij.

Pavarësisht pozicionit të tij aktual si i arrestuar për çështjen e inceneratorëve dhe akuzave të tjera për abuzim me fondet publike, Veliaj nuk heziton të lavdërojë veten dhe të kërkojë votën e qytetarëve “për punën dhe transformimin”. Megjithatë, për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, ato “punë” tashmë janë të njohura: mungesa e inceneratorit të premtuar, zhdukja e fondeve, dhe një model qeverisës që shumë e konsiderojnë të kapur nga klientelizmi dhe korrupsioni.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button