KryesoreLajme

Arben Meçe: Berisha mbetet peng i filozofisë së dhunës dhe manipulimit – Lobi grek pas kaosit me votën e diasporës

Analisti dhe ish-deputeti demokrat analizon në ‘Studio Live’ ngjarjet e fundit politike dhe ngre dyshime të forta se lobi grek pranë Berishës ka dorë tek problematikat e krijuara me votën e diasporës në Greqi. Ai shpjegon si njohës i vjetër i kreut të PD-së, edhe filozofinë e tij politike të dhunës, kontestimit dhe mashtrimit, duke iu referuar ngjarjeve në Lezhë, Elbasan, Korçë si dhe lajmit të rremë për heqjen e non gratës.
Sali Berisha ka në filozofinë e tij dhunën, mosnjohjen e zgjedhjeve, manipulimin e vazhdueshëm, mosnjohjen apo kontestimin e zgjedhjeve dhe agresivitetin.

Të gjithë këto tipare politike janë të shfaqura më së miri gjatë zhvillimeve më të fundit të fushatës, si përleshja në Elbasan e mbështetësve të kandidatëve të PD-së, rasti i Bledjon Nallbatit me dhunën ndaj shoferit në Elbasan, aktet e ish-gjyqtarit sheik Gjin Gjoni në Lezhë, lajmi i rremë për heqjen e non gratës i shpërndarë së fundmi, si dhe manovra me linjën greke për të krijuar problematika në shpërndarjen dhe kthimin e zarfeve të votave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, si alibi për mosnjohjen e zgjedhjeve pas 11 majit dhe kontestimin e votës së diasporës.

Kjo ishte teza e analizuar sot në ‘Studio Live’ nga analisti dhe ish-deputeti i PD-së, Arben Meçe, edhe si njohës i mirë i karrierës politike prej më shumë se tre dekadash të kreut të PD-së.
Për Meçen, me Berishën në krye PD mbetet dhe mbështet filozofinë e dhunës.

“Kjo që po ndodh në PD dhe me grupet kriminale në Elbasan apo Lezhë, tregon se pas ngjarjes nuk është krahu i majtë, por i PD-së. Pra janë ngjarjet dhe përplasjet brenda tyre. Kjo situatë sinqerisht është e dhimbshme. Ka situatë shumë konfliktuale brenda PD-së shumë të dukshme, krahas sherrit që është ekstremi i konfliktit. Por në terren dhe opinion është përçarje e madhe brenda PD-së që do shfaqet edhe më tej”, thotë ai për Report Tv.

Analisti shpjegon edhe pse mosnjohja e zgjedhjeve është filozofi e përhershme e Berishës.

“Mosnjohja e zgjedhjeve është filozofi e Berishës. Në këtë kuadër është edhe pagesa 6 mln dollarë, edhe lajmi për non gratën, manipulim i pastër. Kështu funksionon Berisha. Edhe për Elbasanin ku denonconte grupet kriminale në Elbasan, apo të drogës, teksa në krahun tjetër grupet kriminale e terroriste të PD përleshen me njëra-tjetrën, nuk është politike ajo, është kriminale. Për 30 vjet që e njoh unë Berishën në politike, ai kështu funksionon, e sheh gjënë e vetes tek tjetrit me mashtrime në tre dekara dhe manipulime. Del si një manipulativ dhe gënjeshtar për çdo situatë. Kujtojmë Nanon, çfarë nuk i tha dhe pastaj e takoi, Dukën, e sulmoi dhe e bëri aleat”, shpjegon ish-deputeti për diskursin kontrovers të kreut të PD-së.

Ai hedh dyshime edhe për ndërhyrje nga linja greke pranë PD-së tek krijimi i problematikave me votat e diasporës në Greqi. Ai ngre pyetjen se përse ka problematikë vetëm në Greqi, por jo në vendet e tjera të botës? Madje shpreh bindjen se kjo bëhet me qëllimin e vetëm politik, për t’i dhënë Berishës një alibi për humbjen dhe kontestimin e zgjedhjeve e votës së diasporës pas 11 majit.

“Implikimi i linjave greke do shkaktojë probleme. Them se do ketë probleme nga ato. Mendoj dhe dyshoj se ka ndërhyrje nga linja greke edhe për çështjen e procesit të votave të diasporës në Greqi. Edhe KQZ është e shqetësuar aktualisht dhe po kërkon shpjegime. Ndihet një frymë sabotimi nga Greqia. I vetmi vend që ka probleme me kompaninë postare është Greqia ku duket se ka ndërhyrje të forta. Kjo bëhet që t’i japë PD-së argumente për të ngritur tezën që të kundërshtojë votën e diasporës. Unë po pres më tej, nuk mendoj se do ketë akuza për ndërhyrje nga administrata në zgjedhje brenda vendit, por do ngrihet nga PD problematika me Greqinë, që siç e thashë mendoj se ëhstë ndërhyrë qëllimisht për të pasur probleme. Pse nuk ka në vende të tjera probleme të ngjashme, në Itali, Angli, Gjermani, ku ka shkuar mirë. Por vetëm Greqia dhe investigimi i nisur besoj do e sqarojë”, tha Meçe për Report Tv.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button