
Anëtarja e PD-së në Elbasan dhe garuese e Primareve, Alesia Balliu, flet në “Studio Live” për incidentin e rëndë të ndodhur dje dhe që sipas saj tregon gjendjen reale të partisë brenda dhe jashtë saj. Kush janë shkaktarët, përse po ndodh përçarja dhe shkatërrimi? pse mendon se humbja e PD do jetë spektakolare dhe se lajmi për heqjen e non gratës së Berishës është ‘qesharak dhe fjalë kafenesh’.
Përleshja mes mbështetësve të kandidatëve të Partisë Demokratike në Elbasan ditën e djeshme (7 maj) është rjedhojë dhe pasojë e përçarjes që kakrijuar përfaqësuesi Luçiano Boçi brenda strukturave të tij, pasi ka kandidatë të prereferuar për deputetë.
Kjo solli edhe përleshjen e djalit të tij me mbështetësit e tjerë, me pasojë plagosjen. Kështu u shpreh anëtarja e PD-së në këtë qark, Alesia Balliu, në panelin e “Studio Live” në Report Tv, në lidhje me incidentin e rëndë të ndodhur dhe që sipas saj tregon gjendjen reale të partisë brenda dhe jashtë saj.
“Luçiano Boçi solli frymën e shkatërrimit në Elbasan. Në vend të sillte frymën e bashkimit, kërkon të sjellë përçarjen për kontrollin e PD-së së Elbasanit pasi mbështet kandidaten Çapja. Madje djali kishte sjellë njerëzit e tij përballë kandidatit tjetër, duke iu drejtuar me fjalë fyese dhe ofenduese, duke i thënë “a më njeh ti mua kush jam?”. Ai ka ndaluar kandidatin tjetër që të takonte militantin. Arroganca dhe sjellja e papërshtatshme ku tentohet të bëhet si parti familjare, unë nuk e mbështes dhunën fizike, nuk e justifikoj, kushdo që e ka shkaktuar. I uroj shërim djalit të Boçit dhe shëndet, por unë dënoj këtë dhunë. Dhunë përçarje për të luftuar njëri-tjetrin, këta nuk mund të sjellin qeverisje të mirë nesër nëse e shprehin kështu në mitingje”, tha ajo për moderatorin Arbër Hitaj.
Balliu, e cila ishte një nga garueset në Primare, por që nuk u përfshi në listat e PD-së për deputete bashkë me Dashnor Sulën, ngriti shqetësimin për gjendjen e krijuar aktualisht brenda partisë dhe që po shpërthen. Ajo ngriti edhe pyetjen, teksa iu referua edhe incidentit të deputetit Bledjon Nallbati në Korçë, ku dhunoi shoferin e kamionit, apo rastet në Lezhë e Dibër.
“Pse i ka bërë kaq të dhunshëm këto zgjedhje PD-në? Kujtojmë edhe atë që ndodhi në Korçë me kandidatin Bledjon Nallbati. Për Elbasanin është zoti Boçi, që po shkatërron. Fakti është mesazhi i Flamur Nokës që e thotë se atë vajzën e ka vendosur Luçano Boçi për deputete. Është nga numri personal, përçarja është e verifikuar nga vetë Noka, prova është se ajo u vu kandidate, djali i tij provokon dhe përfundon në spital”, vijoi Balliu.
Për Report Tv përfaqësuesja demokrate shpjegoi se incidenti i djeshëm ishte i rëndë, kurse PD u mundua ta shesë si ngjarje banale.
“Madje edhe reagimi ishte për ta sfumuar këtë sherr dhe përplasje në PD. Ku edhe vetë zonja Boçi reagoi duke thënë se nuk ishte një ngjarje banale, pasi djali i saj nuk ishte banal. Pra përgënjeshtron PD-në dhe se sherri ishte për arsye politike. PD do ta mbulojë ngjarjen, thotë gjë tjetër, vepron në mënyrë tjetër. Situata në Elbasan është katastrofike dhe humbja do jetë spektakolare, me listë qokash e të papërfaqësuar. Qytetarët e Elbasanit nuk meritojnë dhunën elektorale dhe qokat. Kjo është listë për interesat personale të zotit Sali Berisha. Dhunë brenda llojit, dhuna për të ruajtur pushtetin, trajtim i PD-së si pronë private. Ka çorganizim në Elbasan dhe kjo për shkak të egos personale dhe faktorit Boçi, teksa po duket edhe në Shkodër”, nënvizon Balliu.
E pyetur për lajmin më të fundit të shpërndarë nga gazetari amerikan Mark Caputo me një postim në rrjetin social se Berisha mund të udhëtojë në SHBA e që po shitet si heqje të non gratës, Balliu tha se “kjo është qesharake”, pasi nëse do kishte një vendim të tillë “s’do e mësonim nga gazetari, por nga vetë DASH” dhe një vendim të tillë nuk ka.
Ajo e konsideron lajmin një ndërhyrje për fushatë elektorale, për të justifikuar pagesën 6 mln dollarë.
“Mua më vjen për të qeshur me këto deklarata, që më habit edhe media në fakt, është qesharake. Nuk hiqet non grata me një postim, kjo është qesharake. Paguhen 6 mln dollarë për të pastruar emrin nga lista e zezë e SHBA. Dhe tani ka reagime se na tha gazetari ne se është hequr non grata etj. Pra nuk kemi një reagim zyrtar nga instuitucionet, ku praktikat ligjore ekzistojnë për komunikim dhe njoftim. Nuk kemi asnjë reagim nga DASH për heqjen non gratën. Tani vijmë e merremi me llafe kafenesh. Kjo e gjitha është lobim për të influencuar zgjedhjet dhe keqinformuar publikun. Por edhe nëse i hiqet non grata sot, ai sërish nuk i fiton zgjedhjet. A e kuptoni, ata që vendosin non gratën ata edhe dalin e deklarojnë nëse hiqet. Jo më tha gazetari, apo i ka thënë gazetari Berishës etj. Kjo është lobim. Njoftim nuk ka, as nga Ambasada Amerikane në Tiranë nuk ka një njoftim të tillë. Për ta mësuar këtë është e lehtë, mjafton t’i drejtohesh institucionit. 6 mln dollarë paguhen jo për patriotizëm por për interesa personale dhe për të hequr damkën. Nuk është gjë e mirë që një ish-president dhe ish-kryeministër të ketë këtë njollë në Shqipëri. Kjo është për lobim dhe fushatë elektorale”, shprehet Balliu.
Madje sqaron se gazetari Caputo është njeriu i kompanisë së LaCivita që ka marrë 6 mln USD.
“Kjo është dëshirë e Berishës dhe atyre që e rrethojnë atë, nuk është vendim i DASH. Ky është urdhër i LaCivita për të dhënë një deklaratë në prag të zgjedhjeve, pasi vendim të DASH nuk kemi. Sepse po të kishte një vendim të tillë, ju siguroj se Berisha do i kishte hipur avionit dhe do kishte udhëtuar direkt në SHBA për ta thyer e deklaruar në të gjithë botën. Fabrikuesi i lajmit dhe porositësi është Sali Berisha, shpërndarësi është LaCivita me gazetarin amerikan Caputo, pasi nuk ka një vendim të tillë nga DASH”, përfundoi ajo.