Dy shqiptarë ndalohen në Gjermani me pasaporta diplomatike të falsifikuara

Policia gjermane ka nisur hetimet ndaj dy shtetasve shqiptarë, të cilët u ndaluan në zonën Kreuth ndërsa udhëtonin me një automjet tip Mercedes me targa italiane.
Sipas autoriteteve, ndalimi u krye nga policia kufitare në një stacion karburanti, ku të dy shtetasit paraqitën pasaporta diplomatike, të cilat pas verifikimeve rezultuan të ishin të falsifikuara. Gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit, policia gjeti edhe 10 dokumente të tjera të falsifikuara.
Shoferi, 44 vjeç, dhe pasagjeri, 50 vjeç, kishin gjithashtu me vete një kartë bankare që i përkiste një personi tjetër. Të dy pretenduan se e kishin gjetur kartën rastësisht.
Të gjitha dokumentet e falsifikuara dhe karta bankare u konfiskuan nga autoritetet. Dy shtetasit shqiptarë u akuzuan për falsifikim dokumentesh dhe pas përfundimit të procedurave hetimore, janë liruar.