Lajme

Ilir Meta nga qelia: Thirrje për mobilizim dhe votë për një “Shqipëri Madhështore”

Tre ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet i burgosur me vendim politik sipas deklaratave të tij, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm për mbështetësit dhe anëtarët e partisë. Ai i bën thirrje strukturave dhe simpatizantëve të ruajnë ritmin dhe vendosmërinë, duke e cilësuar këtë garë elektorale si hyrjen në një “Epokë të Re” për një “Shqipëri Madhështore”.

Meta falenderon përzemërsisht mbështetësit për punën e bërë deri tani dhe i nxit ata të qëndrojnë të përkushtuar edhe për 72 orët e fundit para votimit, të cilat i përshkruan si vendimtare për arritjen e fitores.

“Pa sakrifica nuk ka as fitore dhe as begati. Forca edhe këto 72 orë dhe ju do të vendosni flamurin e fitores në majën më të lartë të historisë,” – shkruan Meta në mesazhin e tij.

Ai përshkruan vizionin e tij për një Shqipëri të re, të fuqizuar ekonomikisht dhe socialisht, ku të rinjtë nuk largohen por rikthehen, dhe ku prodhimi dhe eksporti marrin rol qendror.

Në fund, ai bën thirrje për të votuar Koalicionin “PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe kandidaturën e tij në Qarkun Tiranë, duke e mbyllur mesazhin me një referencë simbolike: “Edhe 72 orë dhe kënga ‘Për ty Atdhe’ do të gjëmojë në të gjitha sheshet dhe majat e Shqipërisë.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button