Sport

PSG rikthehet në finalen e Champions League, por festa në Paris përfshihet nga kaosi: një i plagosur në gjendje kritike pas një përplasjeje me makinë

Paris Saint-Germain është rikthyer pas pesë vitesh në finalen e UEFA Champions League dhe ka mundësinë të kërkojë për herë të parë në histori trofeun më të rëndësishëm evropian për klube. Por, ndërsa mijëra tifozë parizienë festonin arritjen historike në rrugët e qytetit, një incident i rëndë ka errësuar atmosferën festive.

Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit Felix Zwayer, qindra tifozë u mblodhën në zonat kryesore të Parisit, përfshirë ‘Parc des Princes’ dhe bulevardin Champs Elysée. Por gëzimi u ndërpre kur një makinë u përplas me turmën, duke shkaktuar disa të plagosur. Sipas burimeve të policisë franceze, një nga të lënduarit ndodhet në gjendje kritike.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë makinën duke marrë flakë menjëherë pas përplasjes. Autoritetet konfirmojnë se automjeti është djegur nga persona të tjerë pas incidentit dhe më pas është gjetur i braktisur jo shumë larg vendngjarjes. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe hetimet janë në zhvillim e sipër.

Pavarësisht mobilizimit të rreth 2,000 forcave policore në mbarë qytetin për të garantuar sigurinë, trazirat nuk janë shmangur. Ministria e Brendshme franceze ka raportuar të paktën 43 arrestime gjatë natës.

Teksa PSG përgatitet për përballjen finale ndaj Interit në fund të majit, nata që duhej të ishte një festë triumfi në Paris, u kthye pjesërisht në një episod dhune dhe shqetësimi për qytetarët dhe tifozët.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button