
Sipas LiFO, marrëdhëniet mes qeverisë së Berishës dhe asaj të ish-kryeministrit grek Kostas Karamanlis ishin veçanërisht të afërta, gjë që u konkretizua me firmosjen e marrëveshjes për ndarjen e shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare mes dy shteteve.
Në një intervistë të dhënë për median greke LiFO, ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha ka folur gjerësisht mbi situatën politike në Shqipëri dhe raportet dypalëshe me Greqinë, ndërsa vendi i tij përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Duke u ndalur te marrëveshja për Zonën Ekonomike Ekskluzive (EEZ) që u arrit gjatë periudhës së tij në pushtet, Berisha e cilësoi atë si “më të mirën e mundshme” për të dy vendet. Ai kritikoi ashpër kryeministrin aktual, Edi Rama, për moszbatimin e saj, duke e akuzuar se e pengoi procesin për arsye politike dhe ndikime të jashtme.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë optimist që do të heqim qafe qeverinë e Edi Ramës, e cila nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull, asnjë kriter, asnjë standard”, deklaroi Berisha për LiFO, duke lëshuar një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kundërshtarit të tij politik.