
PD dhe Noka kishin kallëzuar më 5 maj kandidaten e PS bazuar te materialet filmike të emisionit të televizionit të familjes së Berishës. Prokurori Sotir Kllapi nuk gjeti elementë të veprës penale të korrupsionit zgjedhor, verifikimet e tjera i kalojnë Fierit. Dumani firmos mosfillimin e procedimit penal.
Prokuroria e Posaçme deklaron mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin e depozituar nga Flamur Noka në emër të PD-së, ndaj kandidates së Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi, në lidhje me pretendimet për korrupsion zgjedhor, kanosje e pjesëmarrësve në zgjedhje, shpërdorim detyre dhe përdorim të funksionit publik.
Vendimi i firmosur nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe i marrë nga prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, konkludon se në materialin filmik të pretenduar dhe dorëzuar, nga emisioni i televizionit të familjes së Sali Berishës, në asnjë rast nuk provohet se Çaushi kërkon votën për PS-në apo të ketë konsumuar veprën e krimit zgjedhor të korrupsonit pasiv, që është kompetencë e SPAK.
Për veprat e tjera materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit që të bëjë verifikime të mëtejshme. Kllapi konstaton se bazuar në denoncimin e PD-së dhe Nokës me numër 145, i datës 5 maj të këtij viti, “nuk gjenden elementë të veprës penale të pretenduar” nga PD dhe Noka.
Më tej i detajuar në këtë konkluzion juridkik jepen shpjegimet e nevojshme mbi filmimin dhe bisedën telefonike, ku nuk provohet se Zegjine Çaushi ofron apo kërkon votën për Partinë Socialiste.