
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të qartë se të gjithë shtetasit shqiptarë që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës, nuk mund ta ushtrojnë më të drejtën e votës fizikisht brenda territorit të Shqipërisë më 11 maj, edhe nëse nuk kanë marrë fletën e votimit në adresën e tyre.
Sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ, momenti që një emigrant pranohet si votues nga jashtë, emri i tij largohet nga lista e zgjedhësve brenda vendit. Kjo do të thotë se, edhe në rast se fleta e votimit nuk ka mbërritur me kohë për arsye logjistike apo burokratike, ky shtetas nuk mund të paraqitet fizikisht për të votuar në Shqipëri.
Ky njoftim vjen në një kohë kur shumë emigrantë, kryesisht nga Greqia, kanë raportuar vështirësi në marrjen e fletës së votimit dhe janë të paqartë për të drejtën e tyre për të udhëtuar drejt Shqipërisë për të votuar. Afërsia gjeografike me vendin tonë mund të krijojë keqkuptime, por autoritetet sqarojnë se këtë herë, ndryshe nga vitet e kaluara, nuk është e mundur që votuesit e regjistruar nga jashtë të kthehen dhe të votojnë fizikisht.
Megjithatë, qytetarët që janë refuzuar nga KQZ për t’u regjistruar si votues nga jashtë ose nuk kanë aplikuar fare për këtë procedurë, mbeten në listat zgjedhore brenda vendit dhe mund të votojnë normalisht në qendrat e tyre të votimit në Shqipëri.
KQZ u bën thirrje të gjithë votuesve që të verifikojnë statusin e tyre në sistemin elektronik dhe të informohen saktësisht për të drejtën e tyre të votës, për të shmangur çdo keqkuptim apo udhëtim të panevojshëm në ditën e zgjedhjeve.